Tiranë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ndau në rrjetet sociale një mesazh në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin Pediatrik, duke përcjellë një apel për mbështetje ndaj fëmijëve që përballen me sëmundjet onkologjike dhe familjeve të tyre.
“Në Muajin e Ndërgjegjësimit për Kancerin Pediatrik, mesazhi im është i thjeshtë: asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i vetëm dhe asnjë familje nuk duhet ta përballojë këtë rrugëtim pa mbështetje”, shkruan Spahiu.
Spahiu nënvizon se pas trajtimit dhe sfidave shëndetësore qëndrojnë fëmijë me ëndrra, plane dhe të drejtën për të jetuar fëmijërinë e tyre.
“Fëmijët nuk janë vetëm pacientë. Ata janë ëndrra, buzëqeshje, plane dhe një e ardhme që sapo ka filluar. Për çdo fëmijë. Për çdo buzëqeshje. Për jetën”, tha Spahiu.
Në videomesazh përcillet edhe dëshmia e një familjareje, që shprehet se nipi i saj është diagnostikuar me leuçemi akute.
“Kam nipin, është diagnostikuar me leuçemi akute. Deri tani kemi pasur shumë sukses me kimio dhe terapinë e parë. Mjekët janë shumë, shumë të kujdesshëm, po ashtu edhe stafi, janë shumë, shumë të specializuar, shumë të mirë të gjithë. Deri tani jemi shumë mirë”, shprehet ajo.
Investimet në pajisje moderne, salla e dedikuar e sedacionit dhe ambientet mësimore për fëmijët e hospitalizuar janë pjesë e forcimit të këtij shërbimi, me synim krijimin e kushteve sa më të mira për trajtimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve
