Kurti takon Karen Pierce: Shpreha shqetësimin për dënimet e padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.

Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kurti tha se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër, siç u shpreh ai, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, ndërsa vlerësoi mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Një pjesë e diskutimit, sipas kryeministrit, i është kushtuar edhe proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara.

“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se procesi nuk ka përfunduar dhe se pret që në apel të adresohen ato që ai i cilëson si padrejtësi dhe mangësi të aktgjykimit.

Në takim është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës. Kurti përmendi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, ka deklaruar Kurti.

Në fund të takimit, kryeministri ka uruar paraprakisht Dame Karen Pierce për ditëlindjen e saj, e cila festohet nesër, duke i dhuruar edhe një kujtim nga Republika e Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër