Rritja e çmimeve të banesave u frenua në gjysmën e parë të 2026

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 shtator Zhurnal.mk – Rritja e çmimeve të banesave u frenua në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, Indeksi Fisher i çmimit të banesave mbeti i pandryshuar në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm, ndërsa u rrit me 10% në krahasim me një vit më parë.

Edhe ritmi i rritjes vjetore të çmimeve u ngadalësua ndjeshëm krahasuar me nivelet prej 28% të 6-mujorit të dytë 2025 dhe 41.7% të 6-mujorit të parë 2025.

Në mënyrë specifike për Tiranën, tregu shfaqi një ecuri më të mirë në terma 6-mujorë, me rritje të çmimeve me 10% krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, por një rritje më të dobët me bazë vjetore, me 9% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut ishte disi më pozitiv në krahasim me periudhën e kaluar.

Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën (gjashtëmujorin) e mëparshme?”, balanca neto e përgjigjeve ishte pozitive (+15%) me përgjigje veçanërisht optimiste për zonën e bregdetit, ku vlera e balancës ishte dukshëm më pozitive sesa mesatarja afatgjatë. I njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje rezultoi ndjeshëm më pozitiv gjatë periudhës, me një balancë neto rreth 35%.

Në të njëjtën kohë, struktura e transaksioneve sipas diferencës ndërmjet çmimit të realizuar të shitjes dhe atij të kërkuar mbeti përgjithësisht e qëndrueshme, dhe çmimet me të cilat ndodhin transaksionet janë përgjithësisht të krahasueshme me çmimet e kërkuara nga shitësit e pronave.

Pjesa më e madhe e shitjeve vijoi të realizohej me çmime të njëjta ose deri në 5% më të ulëta sesa çmimi fillestar i kërkuar, ndërsa transaksionet me zbritje më të mëdha janë të rralla.

Numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi u rrit lehtë në 9.9 muaj nga 9.1 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u rrit në 9.7 nga 8.1 muaj.

Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u ul në 8.2 nga 9.9 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte shumë pak më e lartë sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke u rritur në 10.6 nga 10.1 muaj.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, rreth 58% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 34% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të viti 2026, rreth 20% të banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 85% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Në tërësi, pesha e transaksioneve në të cilat blerësit janë jorezidentë ka shfaqur një prirje në rritje gjatë 5 vjetëve të fundit.

Pritjet për të ardhmen e subjekteve të anketuara paraqiten pozitive. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më të gjatë (deri në dy vjet).

Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme.

Subjektet e zgjedhura janë agjentë të zyrave të tregtimit të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës. Banka e Shqipërisë realizon hartimin e pyetësorit, si edhe hedhjen dhe përpunimin e rezultateve, ndërkohë që Instituti i Statistikave mbulon intervistimin në terren, proceset kryesore të kampionimit dhe kontrollin fizik të pyetësorëve të plotësuar. /Monitor

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër