Familjet Thaçi, Veseli e Krasniqi kërkojnë përgjegjësi institucionale: Presim të takohemi pas vendimit të Kuvendit

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 shtator Zhurnal.mk – Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar, në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një letër të publikuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen e tyre.

“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.

Familjet kanë falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e vazhdueshëm lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.

“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e tij të vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë”, thuhet në deklaratë.

Në letër, familjet kanë kërkuar nga përfaqësuesit institucionalë që të veprojnë me përgjegjësi në raport me Dhomat e Specializuara.

“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet më tej.

Familjet kanë reaguar edhe lidhur me ftesën për takim nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Ato kanë thënë se e vlerësojnë ftesën, por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit, me qëllim shmangien e keqkuptimeve rreth ndikimit të familjeve në vendimmarrjen institucionale.

“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në fund të letrës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër