Anthony Gordon ka bërë thirrje që Anglia të fokusohet te pikat e saj të forta dhe të mos përpiqet të kopjojë stilin e lojës së Spanjës, para përballjes së dy kombëtareve në Ligën e Kombeve të shtunën.
“Besoj se nga ana kulturore, nuk është vetëm ai turne apo ajo ndeshje ku nuk arritëm ta kontrollonim një ndeshje. Si komb, ne nuk e kemi atë forcë si spanjollët, që t’i kontrollojmë ndeshjet në mënyrën se si e bëjnë ata”, deklaroi anësori i Barcelonës.
“Është diçka që nuk e kemi. Nuk jam i sigurt nëse është diçka që mund të mësohet, sepse tani që po luaj në Spanjë, mund të flas me një këndvështrim më të informuar për mënyrën se si ata e mbajnë topin. Është shumë ndryshe nga gjithçka që kam përjetuar duke luajtur në këtë vend”.
Gordon beson se Anglia duhet të përmirësohet, por gjithashtu të mendojë edhe për një qasje tjetër, duke u mbështetur te karakteristikat e saj.
“Sigurisht që mund të bëhemi më të mirë, ose ndoshta të shkojmë në drejtimin tjetër dhe të luajmë vërtet sipas pikave tona të forta, që do të thotë të luajmë fizikisht, drejtpërdrejt dhe në kundërsulm. Mund të shkosh në cilindo drejtim dhe nuk ka mënyrë perfekte për ta fituar një ndeshje futbolli. Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të bëjmë”, ka thënë Gordon.
Futbollisti anglez theksoi se nuk është në pozitë të vendosë për taktikat e ekipit, por sipas tij, Anglia duhet të ndalojë së kërkuari modele te kombëtaret e tjera.
“Ndoshta kemi arritur në atë pikë. Ndoshta nuk jam personi më i mirë për ta thënë këtë. Nuk e di. Po flas nga këndvështrimi se ndiej që po përpiqemi ta kopjojmë Spanjën, sepse tani jam në Spanjë. E di që kemi lojtarë po aq të mirë, por ata kanë karakteristika të ndryshme”.
“Atëherë pse të përpiqemi t’i bëjmë ata të njëjtë me lojtarët spanjollë? Sepse lojtarëve spanjollë u mungojnë disa prej gjërave që i kemi ne, dhe anasjelltas”.
“Nuk dua të flas shumë për këtë, sepse nuk jam trajneri dhe nuk do të kontrolloj taktikat apo mënyrën se si luajmë. Por mendoj se duhet të ndalojmë së kërkuari jashtë vendit si komb dhe ndoshta të jemi krenarë për atë që jemi, për atë që kemi dhe për gjërat që na karakterizojnë”.
“Duhet të ndalojmë së krahasuari me kombet e tjera, sepse jemi anglezë. Nuk jemi spanjollë, francezë apo kombet e tjera që kanë pasur sukses”, përfundoi ai.

