EBA vendos kufizime ndaj bankës më të madhe shtetërore të Iranit

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Abu Dabi, 24 shtator, Zhurnal.mk – Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) ka vendosur kufizime të forta ndaj “Bank Melli”, bankës më të madhe shtetërore të Iranit, duke i ndaluar në masë të madhe të kryejë veprimtari financiare në Emirate.

Sipas njoftimit të bankës qendrore të Emirateve, “Bank Melli” nuk mund të kryejë më transaksione financiare nga Irani drejt Emirateve ose nga Emiratet drejt Iranit.

Ndalimi përfshin edhe transfertat e parave dhe financimin e marrëveshjeve tregtare.

Deri kohët e fundit, Dubai dhe emirate të tjera të EBA-s kanë qenë një qendër e rëndësishme për aktivitetet financiare dhe tregtare të Iranit.

Banka Qendrore e Emirateve akuzon “Bank Melli” për shkelje të ligjeve që lidhen me luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Ky vendim shton presionin ekonomik ndaj Iranit, në një kohë kur Teherani është në konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së fundmi, SHBA-ja njoftoi se synon të izolojë më tej Iranin ekonomikisht, përmes sanksioneve të reja.

Uashingtoni ka paralajmëruar gjithashtu të ashtuquajturat “sanksione dytësore” ndaj vendeve dhe organizatave, që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin në fusha si, asetet digjitale, teknologjia, ari, aviacioni dhe transporti detar.

Sanksionet dytësore do të thotë se SHBA-ja mund të vendosë masa ndëshkuese jo vetëm ndaj Iranit, por edhe ndaj kompanive ose vendeve të tjera që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin në sektorët e prekur.

Presidenti amerikan, Donald Trump u tha të martën liderëve botërorë në OKB, se SHBA-ja mund ta “asgjësonte” Iranin.

Vendimi i bankës qendrore të Emirateve vjen pasi EBA vendosi në gusht, të pezullojë deri në një njoftim të dytë, të gjitha marrëdhëniet tregtare dhe transaksionet financiare me Iranin.

Që nga fillimi i luftës me Iranin, udhëheqja në Teheran ka sulmuar vazhdimisht vende fqinje që janë aleate të SHBA-së, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër