Paris Hilton e ka konsideruar prej kohësh veten si një person që nuk ka shumë sekrete nga publiku, por ka arritur të mbajë të fshehtë një gjë për të cilën nuk kishte folur më parë – deri tani.
Biznesmenia dhe DJ e njohur, zbuloi se si ka arritur të kalojë pa u vënë re në vende publike dhe të shmangë vëmendjen e padëshiruar gjatë dy dekadave të fundit.
Emri i Hilton është i lidhur ngushtë me familjen që ndërtoi një nga zinxhirët më të famshëm të hoteleve në Amerikë, si dhe me reality show-n e dikurshëm “The Simple Life”, ndaj për t’u maskuar nuk mjafton vetëm një palë syze të errëta.

“Kur dua të jem e padukshme, ose kur shkoj në Disneyland, në qendrën tregtare apo diku tjetër gjatë fundjavës, gjithmonë vendos një paruke ngjyrë kafe”, tha ajo për “Us Weekly”.
“Është diçka që e bëj gjatë gjithë kohës, por nuk do ta bëja kurrë plotësisht, sepse, duke qenë bionde, nuk dua të luaj me ngjyrën e flokëve”.

“T’i lyesh flokët vazhdimisht nga brune në bionde dhe anasjelltas nuk është aspak mirë për një bionde. Kjo do t’i dëmtonte flokët”, shpjegoi Hilton, e cila së fundmi publikoi fotografi nga pushimet e saj luksoze verore në Itali.
Në maj, Hilton u shfaq me flokë të errët për të sfiluar në pasarelë në “GucciCore Fashion Show” në New York. Në atë rast, ideja ishte e Demna Gvasalia, drejtorit kreativ të Gucci-t.
“Për sfilatën e Gucci-t, Demna donte që të kisha flokë të errët – brune – gjë që më pëlqeu shumë. Në fakt, këtë e bëj gjatë gjithë kohës kur dua të dal e maskuar”, i tha Hilton medias.

