Khvicha Kvaratskhelia ka folur për mundësinë e fitimit të Topit të Artë 2026, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Paris Saint-Germain.
Sulmuesi anësor gjeorgjian ishte një prej lojtarëve kryesorë të PSG-së në triumfin në Ligën e Kampionëve, veçanërisht në fazën nokaut. Ai ishte i përfshirë në 10 gola dhe dhuroi shtatë asistime në 16 paraqitje në këtë garë, ndërsa ndihmoi klubin edhe në fitimin e titullit të kampionit të Francës.
Kvaratskhelia u shpall lojtari më i mirë i Ligës së Kampionëve dhe tashmë është mes kandidatëve për Topin e Artë 2026.
Në një intervistë për BBC, 24-vjeçari pranoi se fitimi i këtij çmimi do të kishte një kuptim të veçantë për të dhe për vendin e tij.
“Unë mendoj se është e vështirë për kombet e mëdha të futbollit ta kuptojnë se çfarë do të thotë kjo për një vend të vogël. Duket shumë larg, pothuajse e pamundur. Jam shumë krenar që jam mes kandidatëve. Të jesh përkrah lojtarëve kaq të jashtëzakonshëm është një privilegj”.
“Sigurisht, do të isha personi më i lumtur në botë, sepse dua që familja ime dhe vendi im të jenë krenarë për mua. Jam shumë krenar për atë që kam arritur në futboll, por dua të vazhdoj në këtë rrugë”.
Kvaratskhelia theksoi se nuk dëshiron të ndryshojë qasjen e tij, pavarësisht suksesit të madh.
“Gjithmonë them se çfarëdo që të dëshirojë Zoti, do të ndodhë. Unë thjesht do të vazhdoj të punoj dhe të stërvitem. Mbetem i njëjti, nuk dua të ndryshoj asgjë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi gjeorgjiani.

