Tiranë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përkujtuar sot sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën efektivë të tjerë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, MEPJ thekson se, tre vjet pas ngjarjes, kërkesa për vendosjen e plotë të përgjegjësisë mbetet e pandryshuar.
“Përgjegjësit për planifikimin, organizimin, financimin dhe kryerjen e sulmit duhet të përballen me drejtësinë, ndërsa të gjitha rrethanat e këtij akti dhune duhet të zbardhen plotësisht”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë, sulmi në Banjskë nuk ishte vetëm një goditje ndaj forcave policore të Kosovës, por edhe ndaj shtetit të së drejtës, paqes, sigurisë dhe përpjekjeve për ndërtimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe normalizimit në rajon.
“Lejimi i akteve të tilla pa përgjigje do t’u dërgonte mesazhin e gabuar atyre që synojnë të minojnë paqen përmes dhunës dhe intimidimit”, thekson MEPJ.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nënvizon se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, stabilitet të konsoliduar apo normalizim dhe pajtim të vërtetë pa përgjegjësi.
“Drejtësia nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë pengesë për dialogun. Përkundrazi, ajo është një nga themelet thelbësore mbi të cilat duhet të mbështeten dialogu i besueshëm, besimi i ndërsjellë dhe pajtimi afatgjatë”, përfundon reagimi i MEPJ.
