Çifti nga Zagrebi, Karla Lemaiq dhe Karlo Balog, në dasmën e tyre vendosën të bënin diçka ndryshe. Në vend të tortës tradicionale të dasmës, ata prenë një copë të madhe proshute, duke i befasuar dhe argëtuar të ftuarit. Videoja e këtij momenti ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale.
“Kur dashuria ka shijen e proshutës”, thuhet në përshkrimin e videos, e cila brenda një dite mblodhi pothuajse 500 mijë shikime në Instagram. Në komentet e shumta, përdoruesit e rrjeteve sociale e cilësuan idenë si origjinale dhe më të mirë se torta tradicionale.
Karla Balog, e cila punon si producente kreative, tha se çifti kishte menduar gjatë se si ta bënte momentin e prerjes së tortës më ndryshe dhe argëtues.
Sipas saj, zakonisht gjatë prerjes së tortës disa të ftuar largohen nga salla, ndërsa pak njerëz e mbajnë mend më vonë se si dukej torta. Për këtë arsye, ata donin që ky moment të ishte diçka për të cilën të gjithë do të flisnin.
Fillimisht, çifti kishte menduar që torta të ishte një tortë ditëlindjeje, pasi po afronte 10-vjetori i lidhjes së tyre. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk i pëlqen shumë ëmbëlsirat.
“Dhe kështu, ndërsa po bënim banjë dielli në plazh, na erdhi ideja për proshutën. Karlo e mori në Posedarje dhe më pas e fshehëm me kujdes për një muaj”, tregoi Karla.
Ajo tha se të ftuarit e pritën me entuziazëm idenë dhe nxorën telefonat për ta filmuar momentin. Madje, mbesa e tyre e quajti me shaka “tortën më të keqe” që kishte parë ndonjëherë.
Proshutën gjatë dasmës e provuan fillimisht vetëm çifti dhe kumbarët, ndërsa pjesa tjetër u shërbye më vonë. Sipas nuses, ajo u konsumua shumë shpejt.
