Prishtinë, 22 shtator Zhurnal.mk – Sinjali ka siguruar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, së bashku me Memorandumin shpjegues që e shoqëron atë, ku parashihen ndryshime thelbësore në juridiksionin, sistemin e mjeteve juridike, ekzekutimin e dënimeve dhe raportin e Speciales me institucionet e drejtësisë në Kosovë.
PDK-ja e ka dorëzuar nismën në Kuvend, ndërsa deri tash në publik është diskutuar kryesisht ideja që procedura e Apelit të vazhdojë në Hagë dhe që fazat e mëtejshme të kalojnë në Kosovë. Dokumentet që ka siguruar Sinjali tregojnë se ndërhyrja e propozuar është shumë më e gjerë.
Një prej ndryshimeve më të mëdha është kufizimi drastik i juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Projektligji synon që kompetenca e tyre të lidhet vetëm me pretendimet specifike të Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke përjashtuar nga juridiksioni krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe dhunën politike kur ato nuk kanë lidhjen e drejtpërdrejtë të përcaktuar në draft.
Memorandumi shpjegues e paraqet këtë si përgjigje ndaj aktgjykimit të fundit dhe argumenton se Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar qëllimin fillestar të themelimit. Sipas hartuesve, kufizimi i juridiksionit synon ruajtjen e parimit të përgjegjësisë penale individuale dhe shmangien e asaj që ata e konsiderojnë stigmatizim kolektiv të UÇK-së.
Por një prej dispozitave që pritet të shkaktojë debatin më të madh lidhet drejtpërdrejt me rastet që tashmë janë në zhvillim.
Sipas regjimit kalimtar të paraparë në projektligj, çështjet ekzistuese do të vazhdonin sipas rregullave aktuale deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Paneli i Apelit në Hagë.
Pas kësaj faze, projektligji parashikon që procedurat e mëtejshme dhe mjetet juridike të kalojnë te Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në Prishtinë, duke ia përjashtuar juridiksionin Panelit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara.
Drafti shkon edhe më tej.
Nëse një lëndë ose një pjesë e saj konstatohet se nuk hyn në juridiksionin e ri të Speciales, parashihet transferimi i saj në sistemin e rregullt të drejtësisë në Kosovë.
Aktakuzat dhe gjykimet mund t’i kalojnë Departamentit Special të gjykatave vendore, ndërsa hetimet dhe dosjet prokuroriale Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Projektligji parashikon gjithashtu transferimin e provave, dosjeve, masave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe, kur plotësohen kushtet, edhe të personave të privuar nga liria.
Ndryshimi tjetër që pritet të marrë vëmendje të madhe është dënimi maksimal.
Neni 15 i projektligjit propozon që Dhomat e Specializuara të mos mund të shqiptojnë dënim më të lartë se 15 vjet burgim, duke e lidhur këtë me parimin lex mitior, pra zbatimin e ligjit më të favorshëm për personin e dënuar.
Po ashtu, dënimet e shqiptuara nga Specialja do të parashihej të vuajnë në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.
Një dispozitë tjetër hap edhe mundësinë që personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas kushteve dhe procedurave të Ligjit për Faljen.
Një tjetër ndryshim me peshë është detyrimi që juridiksioni të përcaktohet në mënyrë individuale për secilin të akuzuar dhe për secilën pikë të aktakuzës.
Gjykata do të duhej të përcaktonte veprën penale, faktet konkrete, kohën, vendin, bazën juridike të juridiksionit dhe lidhjen konkrete e të drejtpërdrejtë me pretendimet specifike të Raportit të Këshillit të Evropës.
Projektligji parashikon edhe një mekanizëm të ri të monitorimit ndërkombëtar, përmes të cilit Kuvendi do të mund të autorizonte organizata të specializuara ndërkombëtare për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut, standardeve të gjykimit të drejtë, trajtimit të personave të privuar nga liria dhe funksionimit institucional të Dhomave.
Raportet e këtyre organizatave do të kishin karakter vlerësues dhe rekomandues dhe nuk do të prodhonin efekt juridik mbi vendimet, urdhrat apo aktgjykimet e Dhomave të Specializuara.
Ndryshimet e propozuara prekin edhe kontrollin kushtetues, arkivat, mbrojtjen e dëshmitarëve, marrëdhëniet me shtetin pritës dhe raportin ndërmjet Dhomave të Specializuara dhe institucioneve vendore të drejtësisë.
Në tërësi, dokumentet tregojnë se nisma nuk synon vetëm një ndryshim teknik të Ligjit për Specialen. Ajo synon riformatimin e juridiksionit të saj, kalimin gradual të kompetencave te gjykatat e Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal, ekzekutimin e dënimeve në Kosovë dhe hapjen e mundësisë për falje presidenciale.
Pikërisht këto dispozita pritet ta bëjnë projektligjin një prej nismave juridikisht dhe politikisht më të debatueshme në Kuvend.
