Shkup, 19 shtator, Zhurnal.mk – Bashkimi Europian ka vendopsur që të ndalojë mediat sociale për personan nën moshën 13 vjeç. Gjithashtu nuk lejohen llogari personale nën moshën 15 vjeç. Kjo do të thotë që nga mosha 13 deri në 15 vjeç do të ketë mini-llogari të krijuara dhe të mbikëqyrura nga prindërit ose kujdestarët me përmbajtje të kufizuar dhe një kufizim kohor prej një ore në ditë. Gjithashtu fëmijët nuk duhet të pranojnë përmbajtje që shkakton varësi. Edhe pse kufizime të tilla kanë filluar të vendosin shumica e shteteve të zhvilluara, vetëm në Maqedoninë e Veriut fëmijët kanë liri të plotë të bëjnë çfarë të dojnë, e fatkeqësisht askush nuk i kontrollon, shkruan “Zhurnal.mk”.
Europa i ndalon mediat sociale për të miturit
Ndalimi i mediave sociale për të miturit është vendimi që Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mori në fjalimin e këtij viti në Parlamentin Evropian, i cili mori miratimin dërrmues nga eurodeputetët.
Me ligjet e reja, nuk lejohen mediat sociale nën moshën 13 vjeç, nuk lejohen llogari personale nën moshën 15 vjeç dhe llogaritë duhet të kontrollohen nga prindërit ose kujdestarët.
Një numër gjithnjë e në rritje vendesh po futin tashmë një ndalim për përdorimin e telefonave celularë nga fëmijët, kryesisht në shkolla, si Holanda, Italia, Greqia, Franca dhe të tjera. Disa vende kanë shkuar një hap më tej duke ndaluar mediat sociale, me Australinë që është e para që e futi këtë për fëmijët nën 16 vjeç, dhe Portugalia dhe Spanja gjithashtu kanë zbatuar masa të tilla.
Telefonat po ua vjedhin fëmijërinë fëmijëve
Teknologjia e tepërt po ua rrëmben fëmijëve magjinë e viteve më të bukura, duke zëvendësuar lojërat në natyrë, eksplorimin dhe ndërveprimin e vërtetë njerëzor me botën virtuale të ekraneve.
Në vend që të zhvillojnë imagjinatën përmes librave apo të mësojnë të komunikojnë duke luajtur me moshatarët, fëmijët po izolohen gjithnjë e më shumë pas dritës blu të telefonave inteligjentë.
Kjo varësi e hershme ndaj stimujve të shpejtë vizualë dhe dopaminës artificiale po dëmton rëndë shëndetin e tyre mendor dhe fizik. Ajo po shkakton probleme me gjumin, rënie të përqendrimit në shkollë dhe një paaftësi në rritje për të menaxhuar mërzitjen ose emocionet e botës reale.
Për të ndaluar këtë dukuri, prindërit dhe shoqëria duhet të ndërhyrë me vendosmëri për të rikthyer ekuilibrin e humbur në jetën e të vegjëlve.
Është jetike që të vendosen kufij të qartë për kohën përpara ekranit dhe të krijohen hapësira e momente të mbrojtura në familje, ku telefonat nuk lejohen, siç janë oraret e ngrënies apo dhomat e gjumit.
Duke u ofruar fëmijëve alternativa të shëndetshme, si aktivitetet sportive, kurset e artit apo thjesht më shumë kohë cilësore me familjen, ne mund t’u kthejmë atyre fëmijërinë që meritojnë. Vetëm përmes një angazhimi të vetëdijshëm mund t’i ndihmojmë ata të rriten të shëndetshëm, krijues dhe të lidhur me botën që i rrethon, e jo me një ekran artificial.
Fëmijët tek ne qëndrojnë mbi 5 orë në ditë nëpër telefona!
Në Maqedoninë e Veriut, fëmijët dhe të miturit kalojnë një kohë jashtëzakonisht të lartë para ekraneve dhe në internet, ku sipas të dhënave zyrtare nga anketat e Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), rreth 39% e të miturve kalojnë mesatarisht më shumë se 5 orë në ditë në internet.
Kjo shifër tejkalon ndjeshëm rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila këshillon që koha para ekranit për fëmijët më të rritur të mos kalojë 1 deri në 2 orë në ditë.
Edhe pse pajisjet përdoren masivisht, statistikat tregojnë se afërsisht gjysma e prindërve (rreth 46.3%) janë në dijeni të ekzistencës së programeve për kontrollin prindëror (parental control), që do të thotë se një pjesë e madhe e fëmijëve lundrojnë pa asnjë mbikëqyrje ose kufizim kohor.
Platformat si TikTok, Instagram dhe Snapchat përdoren gjerësisht nga fëmijët nën moshën e lejuar (shpesh që nga shkolla fillore), duke u kthyer në burimin kryesor të argëtimit dhe komunikimit.
Koha e gjatë në rrjete sociale rrit ekspozimin ndaj rreziqeve. Raportet e fundit tregojnë se rreth 1 në 10 fëmijë të moshës 12-17 vjeç në Maqedoni ka përjetuar ndonjë formë abuzimi ose ngacmimi online.
Në Maqedoninë e Veriut fëmijët bëjnë çfarë të duan!
Nuk ka asnjë kufizim ligjor apo bllokim të rrjeteve sociale nga shteti në Maqedoninë e Veriut. Platformat si TikTok, Instagram, Facebook apo Snapchat janë plotësisht të qasshme për çdo moshë, pa asnjë lloj filtri shtetëror apo verifikimi të detyrueshëm të moshës në nivel kombëtar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar një rregullore të qartë me të cilën ndalohet përdorimi i telefonave celularë gjatë orëve të mësimit. Ky rregull vlen si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit, me qëllim që të parandalohet shpërqendrimi në mësim dhe regjistrimi apo fotografimi i paautorizuar i profesorëve dhe nxënësve. Telefonat lihen në një vend të caktuar përpara fillimit të orës. Por kjo nuk aplikohet gjithkund, dhe fatkeqësisht nuk mjafton si kufizim.
Edhe pse nuk ka një ligj specifik vetëm për “rrjetet sociale”, Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut dënon ashpër veprat penale të kryera përmes internetit. Shpërndarja e urrejtjes në bazë nacionale, fetare apo racore përmes rrjeteve sociale është vepër penale si dhe kërcënimet dhe shantazhet përmes mesazheve ndiqen penalisht.
Pas rastit të grupit “Dhoma Publike” në Telegram, ligji u ashpërsua, dhe tani shpërndarja e fotove eksplicite ose e të dhënave personale në rrjete pa pëlqimin e personit dënohet me burg.
Sidoqoftë, në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka një vetëdije të mjaftueshme që rrejetet sociale nuk janë të mira për fëmijët dhe fatkeqësisht publikohet gjithçka e pa kontroll. Institucionet shtetërore nevojitet që sa më shpejtë të ndërmarrin masa të nevojshme që të kufizojnë qasjen e të rinjve dhe fëmijëve nëpër rrjete sociale dhe nëpër telefonat intelegjent, shkruan “Zhurnal.mk”.
