Fermerët në krizë, shpenzimet rriten a prodhimeve u ulet çmimi!

Nga I.A
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 shtator, Zhurnal.mk – Fermerët në Maqedoninë e Veriut po përballen me një goditje të dyfishtë ku shpenzimet bujqësore janë rritur me 7%, ndërsa çmimet e prodhimeve kanë rënë me 2.2%. Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e madhe e kostove është regjistruar te pajisjet e transportit, energjia, karburantet dhe makineritë. Në të njëjtën kohë, kanë rënë çmimet e produkteve shtazore, frutave, rrushit dhe perimeve, duke e bërë pozitën e bujqve edhe më të brishtë edhe më të rëndë, shkruan Zhurnal.

Shpenzimet +7%, prodhimet ulen 2.2%

Fermerët sot gjenden në një spirale të rrezikshme ekonomike ku kostot e tyre rriten, ndërsa të ardhurat zvogëlohen. Rritja prej 7% e shpenzimeve bujqësore është një barrë e rëndë mbi supet e bujqve që tashmë punojnë me marzhe minimale fitimi. Çmimet e inputeve  nga karburantet deri te makineritë po e bëjnë çdo sezon bujqësor më të kushtueshëm.

Në të kundërt, tregu nuk po shpërblen mundin e tyre. Çmimet e prodhimeve kanë rënë me 2.2%, duke e ulur vlerën e punës së bujqve. Produktet shtazore, frutat, rrushi dhe perimet sektorë që tradicionalisht kanë qenë shtylla e bujqësisë vendore po shiten më lirë, duke i lënë fermerët pa mundësi të mbulojnë shpenzimet bazë.

Ky disbalancë mes kostove dhe të ardhurave është alarm për ekonominë rurale. Nëse trendi vazhdon, shumë fermerë do të braktisin tokën, duke e lënë bujqësinë në një gjendje edhe më të dobët. Pa ndërhyrje të menjëhershme, kriza e sotme mund të shndërrohet në kolaps të plotë të sektorit bujqësor.

RMV edhe pse ka tokë pjellore varet shumë nga importi nga jashtë

Maqedonia e Veriut ka tokë pjellore me bollëk, por mungesa e një strategjie afatgjate e ka bërë bujqësinë të brishtë dhe të paqëndrueshme. Fshatrat po boshatisen, arat po mbeten të pashfrytëzuara, ndërsa të rinjtë largohen nga bujqësia për shkak të mungesës së perspektivës. Ky realitet e ka kthyer vendin në një konsumator të produkteve të importuara, duke e rritur varësinë nga tregjet e huaja.

Në vend që të ndërtohet një politikë e qëndrueshme për të mbajtur gjallë bujqit aktual, shteti shpesh reagon vetëm me masa të përkohshme. Subvencionet shpërndahen pa një vizion të qartë, duke mos arritur të rikthejnë besimin e bujqve në këtë profesion. Pa një strategji të mirëfilltë, bujqësia nuk mund të jetë konkurruese dhe nuk mund të sigurojë stabilitet ekonomik.

Është e domosdoshme që politikat bujqësore të fokusohen në mbështetje reale si subvencione të përshtatura, investime në teknologji moderne, dhe krijimin e kushteve që bujqit të mos e shohin tokën si barrë, por si mundësi. Vetëm kështu mund të rikthehet prodhimi vendor dhe të reduktohet varësia nga importi.

Kujtojmë që, kriza e bujqësisë në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm problem i fermerëve por i gjithë shoqërisë. Kur bujqit nuk kanë mundësi të prodhojnë, vendi bëhet i varur nga importi, çmimet e ushqimit rriten dhe standardi i jetesës bie. Sot është koha për një strategji të qartë dhe afatgjatë që e sheh bujqësinë si sektor strategjik, jo si barrë buxhetore. Pa bujq, nuk ka siguri ushqimore e pa siguri ushqimore nuk ka as stabilitet ekonomik. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër