Paris, 25 shtator, Zhurnal.mk – Papa Leone XIV mbërriti sot në Francë për një vizitë katërditore. Kjo është vizita e parë zyrtare e një pape në Francë që nga shtatori i vitit 2008, kur vendin e vizitoi papa Benedikti XVI, sipas “Le Monde”.
Papa 71-vjeçar u prit në aeroport pranë Parisit nga presidenti francez Emmanuel Macron. Kjo është gjithashtu vizita e parë e një pape amerikan në Francë. Gjyshja nga ana e babait e Papa Leones ka lindur në Francë.
Kur mbërriti, kambanat e kishave ranë në të gjithë vendin.
“Po udhëtoj në Francë, ashtu si në çdo vend tjetër të botës, si një ndjekës i Jezu Krishtit, për të përcjellë paqen, paqen e Krishtit në të gjithë botën”, u tha papa Leone gazetarëve gjatë udhëtimit me avion. Ai tha se ky mesazh është veçanërisht i rëndësishëm në kohën e sotme.
Miliona njerëz do të jenë pjesëmarrës në aktivitetet e papës
Gjatë dy ditëve të para të vizitës në Paris, pritet që rreth 1 milion njerëz të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara.
Momenti kryesor i vizitës do të jetë mesha e madhe, e drejtuar nga papa Leone nesër në Place de la Concorde dhe përgjatë Champs-Élysées.
Papa do të vizitojë gjithashtu Lurdin (Lourdes), një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për katolikët në mbarë botën, si dhe Metz-in, pranë kufirit me Gjermaninë.
Metz lidhet me Robert Schuman, një nga figurat që konsiderohen themeluesit e Bashkimit Evropian.
Inteligjenca artificiale, emigracioni dhe paqja
Vizita zhvillohet rreth shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë, në të cilat e djathta ekstreme synon të marrë pushtetin.
Gjatë vizitës, papa pritet të flasë për disa çështje, përfshirë, rreziqet e inteligjencës artificiale (IA); krizën e emigracionit; abuzimet seksuale nga anëtarë të klerit dhe paqen në Evropë.
Papa do të vizitojë sot edhe pallatin presidencial francez. Më pas pritet të mbajë një fjalim në selinë e UNESCO-s, ku një nga temat kryesore pritet të jetë nevoja për vendosjen e rregullave për inteligjencën artificiale.
Papa do të udhëtojë drejt Notre-Dame
Më vonë, papa Leone do të përshkojë me “papamobil” (automjeti special i papës) rreth 2,5 kilometra nëpër Paris, duke përshëndetur njerëzit që do të jenë në rrugë.
Ai do të vizitojë katedralen Notre-Dame, duke u bërë papa i parë, që e viziton atë pas restaurimit të saj, pas zjarrit të rëndë të vitit 2019.
Papa Françesku e vizitoi Francën tri herë, por jo në një vizitë zyrtare. Ai nuk mori pjesë në rihapjen e Notre-Dame në fund të vitit 2024.
Takim me 80 mijë të rinj
Në fund të vizitës në Paris, papa Leone do të marrë pjesë në një aktivitet me rreth 80 mijë të rinj katolikë, të moshës 17 deri në 35 vjeç, në një stadium në Saint-Denis.
Gjatë aktivitetit do të ketë lutje dhe këngë fetare.
Në stadium do të sillet edhe një relike, që besohet të jetë tunika që Jezusi kishte veshur gjatë vuajtjeve dhe kryqëzimit të tij.
Franca është një vend ku shumica e njerëzve nuk ndjekin rregullisht fenë
Sipas një sondazhi të vitit të kaluar, vetëm rreth 5% e 69 milionë banorëve të Francës shkojnë rregullisht në kishën katolike.
Franca është një vend shumë laik, pra ku feja ka një rol më të kufizuar në jetën publike.
Megjithatë, ndërsa numri i pagëzimeve të fëmijëve ka rënë vitet e fundit, është rritur numri i të rriturve që pagëzohen dhe bëhen katolikë.
Papa do të takohet me viktima të abuzimeve seksuale
Pas Parisit, papa Leone do të shkojë në Lurd, në jugperëndim të Francës.
Sipas traditës katolike, në vitin 1858 Virgjëresha Mari iu shfaq një vajze të re, në një shpellë në Lurd.
Të dielën, papa Leone do të takohet me shtatë persona, që kanë qenë viktima të abuzimeve seksuale nga anëtarë të klerit.
Një hetim i vitit 2021, vlerësoi se rreth 330 mijë persona që ishin të mitur, ishin abuzuar në Francë nga anëtarë të klerit ose persona laikë të lidhur me Kishën, gjatë një periudhe prej rreth 70 vitesh.
Edhe në vitet e fundit, janë bërë akuza të tjera për abuzime, ndër to edhe ndaj figurës së njohur katolike Abbé Pierre dhe ndaj punonjësve të një shkolle katolike me konvikt pranë Lurd-it.
Vizita përfundon në Metz
Në ditën e fundit të vizitës, të hënën, papa Leone do të shkojë në Metz, pranë kufirit me Gjermaninë.
Atje pritet të mbajë një fjalim për paqen në Evropë, ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të hyjë në vitin e pestë.
