Këngëtarja e njohur shqiptare, Violetë Kukaj, do t’i bashkohet sonte protestës “Jo në emrin tim”, e cila do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në ditën e dhjetë të protestës, Kukaj do t’u drejtohet pjesëmarrësve me një fjalim, ndërsa gjatë mbrëmjes pritet të performojë edhe disa nga këngët e saj.
Përveç Violetë Kukajt, para protestuesve do të flasin edhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri, studentja Anisa Rukiqi dhe veteranja e luftës çlirimtare, Meli Bajrami.
Protesta “Jo në emrin tim” është duke u zhvilluar për të dhjetën natë radhazi, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tubimet kanë vijuar çdo mbrëmje në sheshin e kryeqytetit, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se synojnë të shprehin qëndrimin e tyre ndaj vendimit të gjykatës dhe zhvillimeve që lidhen me procesin gjyqësor në Hagë.
Protesta e sonte nis në orën 21:00, ndërsa pjesëmarrja pritet të jetë e madhe, me qytetarë dhe figura publike që vazhdojnë t’i bashkohen organizimit.
