Ambasada e Shqipërisë në Shkup dhe studentët nga Tetova e Shkupi zhvillojnë ndeshje miqësore futbolli

Nga D V
47 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup ka organizuar një aktivitet sportiv që solli në të njëjtën fushë diplomatët shqiptarë dhe studentët e dy universiteteve në Maqedoninë e Veriut.

Në një ndeshje miqësore futbolli, kolegët e Ambasadës u përballën me studentë të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, duke përcjellë mesazhe bashkëpunimi, respekti dhe miqësie.

Në njoftimin e Ambasadës theksohet se sporti ka fuqinë të afrojë njerëzit dhe se loja e drejtë, respekti, disiplina dhe fryma e ekipit janë vlera që ndërtohen në fushën e lojës dhe shoqërojnë të rinjtë edhe në jetën e përditshme.

“Në një rajon me diversitet etnik, fetar dhe kulturor, futbolli krijon një gjuhë të përbashkët. Përmes tij afrojmë të rinjtë, nxisim dialogun, ndërtojmë besim dhe kultivojmë frymën e bashkëjetesës”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

Në fund, Ambasada uroi studentët dhe stafin për energjinë, përkushtimin dhe frymën sportive të treguar gjatë aktivitetit, duke e përmbyllur mesazhin me vlerat: “Respekt. Përkushtim. Bashkëpunim. Këmbëngulje.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër