Shkup, 26 shtator Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka njoftuar se deponia në Radushë është pastruar, ndërsa në hapësirën e dikurshme të mbuluar me mbeturina tashmë kanë nisur të mbillen fidanë.
Elmazi ka bërë të ditur se pastrimi i deponisë ishte një kërkesë e banorëve të Radushës dhe një premtim i dhënë gjatë fushatës. Sipas tij, pas realizimit të pastrimit, fokusi tashmë është vendosur në kthimin e kësaj hapësire në një zonë të gjelbër dhe të pastër për komunitetin.
“Aty ku dje kishte mbeturina, sot po mbjellim jetë. Pastrimi i deponisë në Radushë ishte një kërkesë e banorëve dhe një premtim që e dhamë gjatë fushatës. Sot, ajo kërkesë është realizuar, por nuk u ndalëm vetëm te pastrimi”, ka shkruar Elmazi.
Ai ka theksuar se mbjellja e fidanëve synon që hapësira, e cila për një kohë ishte simbol i mbeturinave, të marrë një pamje të re dhe të shërbejë si hapësirë e pastër dhe e gjelbër për banorët.
“Sot mbollëm fidanë në këtë hapësirë, me qëllim që një vend që dikur ishte simbol i mbeturinave, të kthehet në një hapësirë të pastër dhe të gjelbër për komunitetin. Punët konkrete janë ato që sjellin ndryshimin. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Sarajit.
