Shkup, 26 shtator Zhurnal.mk – Integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm proces i harmonizimit të ligjeve dhe përmbushjes së kritereve, por duhet të sjellë ndryshim të sistemit dhe standard më të mirë jetese për qytetarët, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Në Forumin Qytetar “Maqedonia e Veriut dhe e ardhmja e Evropës”, Gashi theksoi se qytetarët duhet të përfshihen vazhdimisht në procesin e integrimit evropian dhe se agjenda evropiane duhet të jetë një angazhim afatgjatë dhe mbi partitë.
“Ai është një proces ku duhet të mundësojë ndryshimin thelbesor të sistemit me funksion të një standarti më të mirë jetese për të gjithë ne. Prandaj kur flasim për Bashkimin Evropian do të flasim për arsim më të mirë, për kujdes shëndetësor, vende pune dinjitoze, institucione funksionale, drejtësi të barabartë, luftë kundër korrupsionit dhe krijime të kushteve që të rinjtë shohin kah e ardhmja e tyre”, tha Gashi.
Eurodeputeti austriak Tomas Vajc sqaroi se integrimi evropian nuk duhet të shihet vetëm si qëllim përfundimtar, por si një proces që duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët. Ai bëri të ditur nevojën për trajtimin e problemeve si ndotja e ajrit, deponitë ilegale, riciklimi, impiantet e pastrimit, minierat dhe pylltaria.
“Unë besoj se vetëm një vend që kujdeset për gjërat themelore – ajrin e pastër, ujin, kushtet e mira të jetesës, lulëzon edhe ekonomikisht. E gjithë kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. A do të jeni të shëndoshë të shkoni në punë, a jeni i sëmurë sot dhe nuk mund të shkoni në punë. Domethënë drejtëpërdrejtë ndikon për shoqerinë”, pohoi Vajc.
Politikanët do ta bëjnë punën e tyre jo vetëm për qytetarët por së bashku me qytetarët, tha eruodeputeti sllovak Branisllav Ondrush.
“Ndryshimi i logos së shenjës evropiane maqedonase. Disa prej jush ndoshta e mbani mend se para 5-6 vitesh logoja ishte “EU for you”, pra BE-ja për ju. Ndërsa delegacioni, para katër vitesh, vendosi ta ndryshojë logon në “EU ëith you”, që do të thotë BE-ja me ju dhe jo për ju. Për mua, si politikan, ky është një ndryshim i rëndësishëm, një simbol i rëndësishëm”, theksoi Branisllav Ondrush, eurodeputeti sllovak.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për të vazhduar procesin e anëtarësimit në BE. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë dhe kërkojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Pa miratimin e tyre, negociatat me BE-në nuk mund të avancojnë.
