Spahiu në Mallakastër: Riorganizimi i strukturave shëndetësore, në funksion të nevojave të komunitetit

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, u njoh nga afër me investimet, funksionimin e shërbimeve dhe punën e stafit në strukturat shëndetësore të Mallakastrës, në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe riorganizimit të tyre.

Gjatë vizitës, Spahiu vuri theksin te rëndësia e përshtatjes së organizimit të strukturave shëndetësore me nevojat reale të komunitetit, duke e cilësuar riorganizimin një proces të nevojshëm për garantimin e një shërbimi më efikas dhe më pranë qytetarëve.

“Jemi duke parë nga afër strukturat shëndetësore, mënyrën se si funksionojnë dhe kapacitetet që ato kanë, në mënyrë që riorganizimi i tyre të bazohet në nevojat reale të qytetarëve dhe të komunitetit”, tha Spahiu.

Ministrja theksoi se ristrukturimi nuk lidhet vetëm me organizimin e shërbimeve, por edhe me përshtatjen e strukturës së personelit me kërkesën dhe ngarkesën që kanë institucionet shëndetësore.

“Synimi ynë është që struktura dhe organizimi i personelit t’i përgjigjen në çdo kohë nevojave të qytetarëve, duke garantuar shërbime shëndetësore më cilësore, më të aksesueshme dhe sa më pranë komunitetit”, u shpreh ajo.

Spahiu u njoh gjithashtu me punën e profesionistëve të shëndetësisë dhe kapacitetet aktuale të qendrave shëndetësore, duke vlerësuar rolin e stafit në ofrimin e shërbimeve për banorët e zonës.

Sipas ministres, procesi i riorganizimit synon të krijojë një funksionim më efikas të strukturave shëndetësore, duke marrë në konsideratë karakteristikat e zonës, numrin dhe nevojat e popullsisë, si dhe kapacitetet ekzistuese.

“Çdo ndryshim në organizimin e strukturave duhet të ketë në qendër qytetarin dhe aksesin e tij në shërbimin shëndetësor. Kjo është arsyeja pse po e shohim këtë proces nga afër dhe në kontakt me strukturat dhe stafet në terren”, theksoi Spahiu.

Vizita në Mallakastër është pjesë e punës për ristrukturimin dhe riorganizimin e strukturave shëndetësore, me synim përmirësimin e eficiencës së shërbimeve dhe forcimin e kujdesit shëndetësor pranë komuniteteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër