Prshtinë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas miratimit të deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar veprime konkrete ndaj Dhomave të Specializuara.
Haradinaj ka thënë se deklarata, e miratuar 13 ditë pas aktgjykimit, sipas tij do të kishte kuptim vetëm nëse Kuvendi gjatë kësaj jave miraton një ligj që synon ndryshimin e kuadrit ligjor për Dhomat e Specializuara.
“Kjo deklaratë e stërvonuar, 13 ditë pas vendimit dënues, merr kuptim vetëm nëse brenda kësaj jave miratohet në Kuvend ligji i cili e zhbën Gjykatën Speciale”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e cilësoi si “kalkulime politike”, duke përfshirë edhe takimet politike të zhvilluara së fundmi.
Haradinaj ka thënë se debati nuk duhet të fokusohet te masa e dënimeve, por te kundërshtimi i vetë procesit.
“Logjika e kontestimit të lartësisë së dënimit – ‘dënim i rëndë apo dënim i lehtë’, nuk përkon me kombin shqiptar”, ka deklaruar ai.
Sipas Haradinajt, qëndrimi i shprehur në protesta ka qenë i përmbledhur në thirrjen: “Jo në emrin tim!”.
