Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, priti sot në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster.
Përmes një reagimi, Bardhi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Holandës, si dhe për vijimin e bashkëpunimit ndërmjet Grupit Parlamentar të PD-së dhe Ambasadës Holandeze në Tiranë.
Bardhi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian mbi bazën e meritës dhe zbatimit të reformave të qëndrueshme.
Sipas Bardhit, gjatë takimit ai ndau me ambasadoren holandeze edhe shqetësimet e opozitës lidhur me situatën politike në vend. Gjithashtu ai tha se ndau shqetësimet edhe në lidhje me Reformën Territoriale dhe Reforma Zgjedhore duke theksuar se po zhvillohen pa konsensus dhe pa gjithëpërfshirje.
“Gjatë takimit ndava shqetësimet tona për situatën politike në vend, ndikimin e krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore, mungesën e garancive për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për proceset e Reformës Territoriale dhe Reformës Zgjedhore, të cilat, po zhvillohen pa konsensus dhe pa gjithëpërfshirje”, tha ai.
Bardhi theksoi se “dialogu me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunimi institucional mbeten të rëndësishëm për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian të Shqipërisë”.
