Vjenë, 28 shtator Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim me bashkatdhetarët në Qendrën Kulturore Shqiptare në Vjenë.
Sali u shpreh mirënjohës për mikpritjen dhe bashkëbisedimin, ndërsa bëri të ditur se në fokus të diskutimit ishin çështjet që preokupojnë mërgatën, nevoja për zgjidhje konkrete dhe forcimi i lidhjes ndërmjet institucioneve dhe diasporës.
Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe mundësive për investime në vendlindje. Sipas Saliut, mërgata ka dije, përvojë dhe potencial që mund të kontribuojnë në krijimin e mundësive të reja për zhvillim.
Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë të jenë të hapura për bashkëpunim me mërgatën, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes me vendlindjen pavarësisht vendit ku jetojnë bashkatdhetarët.
