Trepça dhe Bashkimi për trofeun e parë të sezonit – finalja e Superkupës premton spektakël

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Trepça dhe Bashkimi përballen të martën mbrëma për trofeun e Superkupës së Kosovës, në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me objektiva të ndryshëm.

“Xehetarët” kanë qenë dominues në basketbollin kosovar në vitet e fundit, duke fituar pesë Kupa të Kosovës radhazi, tri tituj kampioni radhazi dhe dy Superkupat e fundit. Megjithatë, starti i këtij edicioni nuk ka qenë ideal për skuadrën mitrovicase.

Trepça e nisi kampionatin me një fitore të vështirë 106:101 ndaj Rahovecit 029 në udhëtim, ndërsa në xhiron e dytë pësoi humbje 87:81 nga Peja në “Minatori”. Në këtë ndeshje munguan Mikaile Tmusic dhe Kevin Bracy-Davis, ndërsa trajneri Adis Beqiragic ka theksuar nevojën për përforcim në pozitën katër.

Në anën tjetër, Bashkimi ka pasur një start shumë më të mirë. Prizrenasit fituan 96:60 ndaj Golden Eagle Yllit dhe më pas 100:84 ndaj Rahovecit 029, në palestrën “Mizahir Isma”, aty ku do të zhvillohet edhe finalja e Superkupës.

Bashkimi ka humbur disa finale ndaj Trepçës në vitet e fundit dhe tash synon që ta shfrytëzojë momentin për t’i dhënë fund kësaj serie.

Përballë do të ketë një Trepçë që kërkon reagimin dhe trofeun e parë të sezonit.

Finalja zhvillohet sot ( e martë) nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Ndeshja ishte planifikuar të luhej më 15 shtator, por u shty nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër