Shkup, 29 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për çështje evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Vjenë, me ftesë të ministres austriake për Evropë, integrim dhe familje, Klaudia Bauer.
Në diskutimet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ministri Sali theksoi se procesi i zgjerimit duhet të sjellë përfitime të dukshme për qytetarët edhe para anëtarësimit. Ai vendosi theks të veçantë te të rinjtë dhe nevoja për më shumë mundësi për arsim, trajnim profesional, praktikë, kërkim dhe shkëmbim me partnerët evropianë.
“Për të rinjtë tanë, e ardhmja evropiane duhet të nënkuptojë mundësi reale për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre”, theksoi Sali.
Duke folur për integrimin gradual, ministri përmendi lehtësimin e tregtisë përmes Korridoreve të Gjelbra, pjesëmarrjen në SEPA dhe bashkëpunimin digjital si shembuj të përfitimeve konkrete që afrimi me Bashkimin Evropian mund t’u sjellë qytetarëve dhe kompanive. Ai theksoi se pjesëmarrja më e gjerë në programet, politikat dhe tregun unik të BE-së duhet të bazohet në kritere të qarta, reforma të zbatuara dhe respektim të sundimit të ligjit.
Ministri Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj reformave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, ai bëri thirrje që procesi i zgjerimit të mbetet i drejtë dhe i parashikueshëm, ndërsa përparimi i arritur i vendeve kandidate të vlerësohet sipas kritereve objektive evropiane.
Në fund, ministri Sali i falënderoi Austrinë për organizimin e konferencës dhe për mbështetjen e vazhdueshme të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
