Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti sot në një takim anëtarët e delegacionit të Komisionit Parlamentar për Turizmin të Bundestagut, të kryesuar nga Anja Karliczek.
Peleshi vlerësoi se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë mbështeten nga një bashkëpunim intensiv parlamentar mes Kuvendit dhe Bundestagut, në të gjitha nivelet.
“Pjesëmarrja aktive dhe kontributi i delegacionit gjerman në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, që u zhvillua dje në Tiranë, ishte një tjetër dëshmi e këtij bashkëpunimi”, shtoi Peleshi.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, mbi bazën e meritës, është një inkurajim i rëndësishëm për institucionet tona në rrugën drejt anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade.
Po ashtu, Peleshi theksoi se turizmi mbetet një sektor me potencial të madh për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke krijuar mundësi të reja edhe në ekonomi, transport, infrastrukturë, mbrojtjen e mjedisit dhe afrimin e mëtejshëm të njerëzve.
“Një marrëdhënie që forcohet përmes dialogut parlamentar dhe projekteve konkrete”, u shpreh Peleshi.
