Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – “Një lajm i mirë për sigurinë ushqimore dhe standardet europiane në Shqipëri”, kështu e cilësoi ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zgjerimin me 354 teste të reja të gamës së akredituar të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).
Me zgjerimin e ri, ISUV arrin në 2,299 teste laboratorike të akredituara sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017, pas përmbylljes me sukses dhe pa asnjë jokonformitet të procesit të vlerësimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.
“Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë përfundoi me sukses procesin e vlerësimit për mirëmbajtjen e akreditimit të 1,945 testeve laboratorike dhe zgjerimin e tij me 354 teste të reja, sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017”, u shpreh ministri Salla.
Zgjerimi i akreditimit forcon kapacitetet laboratorike në disa prej fushave kryesore të kontrollit, nga shëndeti i kafshëve dhe mbetjet e medikamenteve veterinare në produktet me origjinë shtazore, te mikrobiologjia ushqimore dhe vlerësimi i cilësisë së ushqimeve. Testet e reja përfshijnë gjithashtu kontrolle për pesticide, aflatoksina dhe cilësinë e vajit të ullirit.
“Me zgjerimin e akreditimit, rrisim kapacitetet për të kontrolluar më mirë sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve, shëndetin e kafshëve, mbetjet e medikamenteve veterinare, pesticidet, aflatoksinat, mikrobiologjinë ushqimore, por edhe cilësinë e vajit të ullirit”, theksoi Salla.
Sipas ministrit, rritja e numrit të testeve të akredituara nënkupton më shumë analiza sipas standardeve europiane, rezultate më të besueshme dhe forcim të kontrolleve përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor.
“Kjo do të thotë më shumë analiza sipas standardeve europiane, rezultate të besueshme dhe kontrolle më të forta përgjatë zinxhirit agro-ushqimor, nga ferma deri në tryezë. Një tjetër hap konkret edhe në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 12, ndërsa Shqipëria ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Zgjerimi i akreditimit kontribuon në forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit dhe monitorimit, si dhe në rritjen e besueshmërisë së rezultateve laboratorike të ISUV, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe përafrimit me standardet europiane.
“Siguria ushqimore nuk është vetëm një standard që duhet përmbushur, por një garanci që duhet t’ua japim çdo ditë qytetarëve dhe konsumatorëve”, përfundoi ministri Salla.
