Kamëz, 29 shtator Zhurnal.mk – Disa nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë Rama ndodhen në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku po flasin për sigurinë në shkolla. E para që mori fjalën ishte ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro. Ajo u shpreh se qeveria kujdeset, që nxënësit të kenë një mjedis të sigurt.
“Shkolla duhet të jetë një vend i sigurt, ku çdokush të mund të marrë mësime në mënyrë të qetë. Në shkolla ka oficerë sigurie, ka psikologë dhe punonjës socialë, që të krijojmë një mjedis sa më të sigurt për nxënësit, sepse ju jeni në fokusin tonë.
Me Ministrinë e Brendshme ne bashkëpunojmë prej kohësh tashmë. Policia shoqëron momentet më të rëndësishme të hyrjes dhe të daljes së fëmijëve nga shkolla. Gjithashtu, oficerët janë të rëndësishëm edhe në pushimin e gjatë, që ky pushim të jetë sa më i qetë. Ne duam që t’ju japim qetësi edhe prindërve, që dërgojnë fëmijët në shkolla. Tashmë kemi rrjetin e kamerave inteligjente dhe tradicionale. Mendoj se theksi duhet të jetë komunikimi, mes nxënësve dhe prindërve, mësuesve dhe prindërve dhe nxënësve e mësuesve. Do jemi kudo në të gjitha shkollat. Ne duam që siguria të jetë njësoj si në Gjirokastër, ashtu edhe në Tiranë e kudo në Shqipëri”, tha ministrja Kumbaro.
