Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Bizneset mikro, të vogla e të mesme dhe fermerët do të kenë në dispozicion një instrument të ri financiar për të mbështetur investimet dhe zgjerimin e aktivitetit, përmes skemës së garancisë sovrane me fond 5 miliardë lekë.
Skema, e publikuar në Fletoren Zyrtare pas autorizimit nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, parashikon që shteti të garantojë deri në 70% të principalit të kredive të akorduara nga bankat pjesëmarrëse.
Mbështetja synon të nxisë investimet në kapacitete prodhuese, teknologji, digjitalizim dhe rritje të produktivitetit, duke krijuar mundësi më të mira financimi për sipërmarrjet dhe fermerët që plotësojnë kriteret e skemës.
Në kuadër të saj, një huamarrës mund të përfitojë kredi të garantuara në një vlerë totale deri në 200 milionë lekë, me afat maksimal shlyerjeje 10 vjet. Norma e interesit për kreditë e garantuara nuk mund të kalojë 2%, ndërsa tarifat e ngarkuara huamarrësit kufizohen në 0,5% të vlerës së kredisë.
Skema është e hapur për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit ekonomik ku operojnë, si dhe për fermerët e regjistruar me NIPT fermeri. Përfituesit duhet të plotësojnë kriteret e kreditimit të bankave dhe të mos kenë detyrime të papaguara ndaj shtetit.
Përmes këtij instrumenti financiar synohet të lehtësohet aksesi në kredi dhe të mbështeten projekte që lidhen me modernizimin e bizneseve, transformimin digjital, rritjen e produktivitetit dhe forcimin e eksporteve.
Skema do të jetë në fuqi deri më 20 dhjetor 2027. Aplikimet mund të kryhen deri më 20 nëntor 2027, ndërsa disbursimi i kredive të garantuara duhet të përfundojë brenda 20 dhjetorit të të njëjtit vit.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vlerësuar se masa përmbush kushtet për zbatimin e saj dhe se mekanizmat e parashikuar sigurojnë monitorimin, raportimin dhe kontrollin e përdorimit të garancisë shtetërore.
