Kongo, 30 shtator Zhurnal.mk – Më shumë se 12,700 raste të kolerës, përfshirë 175 vdekje, janë regjistruar në provincën e Kivu-së së Jugut, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, që nga fillimi i vitit, tha UNICEF të mërkurën.
UNICEF tha se po punon me partnerët dhe ka vendosur në zbatim një përgjigje të integruar për të shpëtuar jetë dhe për të frenuar përhapjen e epidemisë.
“Ekipet e reagimit ndaj kolerës ndërhyjnë në familjet e prekura, sigurojnë mbikëqyrjen në komunitet dhe mbështesin analizat laboratorike të rasteve të dyshuara”, tha ai.
Përmbytjet e përhapura, zhvendosja e popullsisë dhe aksesi i pamjaftueshëm në ujë të sigurt po nxisin transmetimin e sëmundjes në vend.
Që nga janari, në Kongo janë regjistruar më shumë se 30,400 raste dhe rreth 700 vdekje, sipas UNICEF-it.
Provincat lindore të Kivu-së së Veriut dhe Kivu-së së Jugut mbeten epiqendra e shpërthimit.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se kolera vazhdon të përhapet në komunitete, pasi vëmendja dhe burimet që nga maji janë përqendruar gjithnjë e më shumë te shpërthimi i Ebolës.
Pesëmbëdhjetë vdekje nga kolera u regjistruan në provincën e Kivu-së së Jugut nga 14 deri më 20 shtator në katër zona shëndetësore, përfshirë Shabunda, Fizi, Ibanda dhe Uvira, sipas raportit të fundit shëndetësor provincial të Kivu-së së Jugut.
UNICEF kërkon veprime urgjente për mbrojtjen e fëmijëve, pasi kolera po përhapet me shpejtësi në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, me shpërthime që prekin disa vende dhe po i ekspozojnë mijëra fëmijë ndaj një rreziku gjithnjë e më të madh./AA
