Berisha takon Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë së KiE-së: Ndryshimet në procedurën penale t’i nënshtrohen ekspertizës së Komisionit të Venecias

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim në Strasburg me sekretaren e përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Despina Chatzivassiliou, ku ka ngritur shqetësimet e opozitës për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, si dhe për paketën e propozuar të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas Berishës, ndryshimet e propozuara në Kod përbëjnë një “mburojë për Ramën”, pasi mund të kufizojnë përdorimin e provave të siguruara përmes pajisjeve elektronike dhe burimeve të tjera.

Kreu i PD-së theksoi se ndryshimet mund të ndikojnë edhe në hetimet për çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në vende të ndryshme”, tha ai.

Në videomesazhin e publikuar pas takimit, Berisha tha se ka marrë garanci nga Sekretarja e Përgjithshme se Këshilli i Europës dhe ekspertët e tij nuk e kanë miratuar, sugjeruar apo hartuar paketën e ndryshimeve.

“Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës, ekspertët e tij, nuk e kanë miratuar këtë paketë dhe kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se i ka kërkuar palës europiane që ndryshimet të mos miratohen në formën aktuale dhe që paketa t’i nënshtrohet ekspertizës së Komisionit të Venecias.

“Unë kërkova që kjo paketë të mos votohet në asnjë mënyrë, të kërkova që kjo paketë t’i kalojë për ekspertizë Komisionit të Venecias. Shqipëria nuk ka nevojë të zbusë ligjet në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, përkundrazi, ka nevojë t’i forcojë. Përveç kësaj, theksova se paketa amniston pothuaj de facto të gjitha krimet elektorale”, tha ai.

Berisha bëri të ditur se dialogu me institucionet e Këshillit të Europës do të vijojë edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Shqipëri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër