BE-ja për protestat në Kosovë pas aktgjykimit në Hagë: Demonstratat paqësore janë e drejtë themelore

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 tetor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian ka komentuar protestat e zhvilluara në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se demonstratat paqësore janë pjesë e të drejtave themelore në një shoqëri demokratike.

Në një përgjigje për Front Online, një zëdhënës i BE-së tha se institucioni evropian po e përcjell nga afër situatën në Kosovë.

“Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë situatën në vend.

“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën”, thuhet më tej në përgjigjen e zëdhënësit evropian.

Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me protestat e zhvilluara para zyrave të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, BE-ja ka dhënë edhe një sqarim për funksionimin e këtij misioni.

“Për informacionin tuaj, mund të konfirmojmë gjithashtu se EULEX-i është plotësisht funksional”, thuhet në përgjigje.

Reagimi i BE-së vjen pas protestave dhe zhvillimeve në Kosovë që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë. Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për vepra penale të luftës.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër