Prishtinë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka folur në protestën që po zhvillohet në Prishtinë kundër dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Syla është solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se vendimi i 16 shtatorit, sipas tij, prek edhe luftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Harrove edhe një epitet, Berat. Na jemi anëtarë edhe të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale prej 16 shtatorit, prej një Gjykate që nuk din çka ka ndodh në vitet ’98-’99 këtu. Turpi i mbuloftë kudo që janë ata”, ka deklaruar Syla.
Ai e ka cilësuar dënimin e ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë, duke kritikuar Gjykatën Speciale dhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar lufta e UÇK-së.
“Dënimi i katër krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, e cila është e gjithkujt përpos e Kosovës, është vetëm vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare”, tha Syla.
Sipas tij, me dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së, numri i viteve të burgimit të shqiptuara në këto procese ka arritur në qindra vite.
“Dënimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit, Mustafës e Shalës, e çon numrin e viteve me të cilat është dënuar lufta jonë në 627 vjet burg”, shtoi ai.
Protesta në Prishtinë po mbahet në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë dhe dënimeve të shqiptuara ndaj ish-krerëve dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
