Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Shtetasja nga Maqedonia e Veriut, S. L. akuzohet se ka votuar në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbajtura në nëntor të vitit 2024, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Aktakuza kundër saj është ngritur më 30 shtator të këtij viti, ndërsa më 1 tetor rasti u bë publik nga Zyra e Prokurorit amerikan për Distriktin Lindor të Viskonsinit. Sipas pretendimeve në kallëzimin penal, S. L. ka lindur në Maqedoni dhe është shtetase e Maqedonisë, por nuk është shtetase e SHBA-së. Prokurorët federalë pretendojnë se më 5 nëntor 2024 ajo ka votuar në zgjedhjet federale në qytetin Sheboygan, në shtetin e Viskonsinit, edhe pse si person pa shtetësi amerikane nuk kishte të drejtë të votonte në zgjedhjet federale.
Në kallëzim thuhet gjithashtu se S. L. është regjistruar si votuese në të njëjtën ditë kur u mbajtën zgjedhjet. Gjatë regjistrimit, ajo ka nënshkruar një formular për regjistrimin e votuesve në Viskonsin, në të cilin ka konfirmuar se është shtetase e SHBA-së. Prokuroria pretendon se kjo deklaratë ka qenë e pavërtetë.
Departamenti i Drejtësisë njofton se e akuzuara më vonë është intervistuar nga një zyrtar federal i zbatimit të ligjit dhe se gjatë bisedës ka pranuar se më 5 nëntor 2024 është regjistruar dhe ka votuar në Sheboygan.
Sipas të dhënave nga gjykata e emigracionit, të cilave u referohet Departamenti i Drejtësisë, S. L. është ndaluar më 13 gusht të këtij viti gjatë përpjekjes për të hyrë sërish në SHBA. Në shtator, në kuadër të procedurës për dëbimin e saj nga vendi, asaj i është lejuar të kthehet vullnetarisht në Maqedoni. Sipas njoftimit të autoriteteve amerikane, nëse ajo përpiqet të hyjë sërish në SHBA, do të arrestohet.
Në njoftim citohet zëvendësprokurori i parë amerikan për Distriktin Lindor të Viskonsinit, Bred Shimmel, i cili thekson se autoritetet amerikane e konsiderojnë ruajtjen e integritetit zgjedhor si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe se votimi nga persona që nuk janë shtetas amerikanë është i paligjshëm.
Departamenti amerikan i Drejtësisë thekson në mënyrë të veçantë se kallëzimi penal përfaqëson vetëm një akuzë dhe nuk është dëshmi se S. L. e ka kryer veprën për të cilën akuzohet. Ajo konsiderohet e pafajshme derisa fajësia eventuale të vërtetohet para gjykatës.
