Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Universiteti i Evropës Juglindore po e zgjeron bashkëpunimin me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, duke e vendosur komunitetin e alumnive në qendër të mundësive të reja për shkëmbim, zhvillim profesional dhe angazhim në programe e iniciativa të mbështetura nga SHBA-ja.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, UEJL-ja priti sot znj. Laura Djuragic, Përgjegjëse për Çështje Publike në Ambasadën e SHBA-së, dhe z. Gazmend Ilazi, Koordinator për Këmbim dhe Alumni.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së u takuan me Rektorin e UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, Prof. Dr. Veland Ramadani, Prorektor për Hulumtime dhe Ndërmarrësi, Prof. Dr. Besa Arifi, Këshilltare për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe Prof. Dr. Veli Kreci, drejtor i Institutit „Maks van der Stoel“.
Një pjesë e veçantë e vizitës ishte takimi me alumnit e UEJL-së, të cilët përfaqësojnë një komunitet aktiv me përvoja të ndryshme në programe akademike, profesionale dhe të zhvillimit të lidershipit të mbështetura nga SHBA-ja.
Në takim ishin të pranishëm një pjesë e komunitetit të Alumni-ve, ndër ta Prof. Visar Shehu, Prof. Dr. Adrian Besimi, Prof. Dr. Blerta Abazi Çaushi dhe Prof. Dr. Agron Çaushi, pjesëmarrës në Programin HELP të USAID-it, si dhe Prof. Dr. Memet Memeti, i cili ka qenë i angazhuar në iniciativa të mbështetura nga USAID në fushën e qeverisjes lokale dhe transparencës. Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtoresha e Bibliotekës “Maks van der Stoel”, Elmedina Abdullahi, pjesëmarrëse në Programin IVLP, si dhe Edlira Palloshi-Disha, pjesëmarrëse në programin American Council of Young Political Leaders (ACYPL).
Përmes rrëfimeve dhe përvojave të tyre, alumnit ndanë perspektiva mbi ndikimin që kanë pasur këto programe në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional, si dhe mbi mundësitë për krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve dhe institucioneve partnere.
UEJL mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare që krijojnë mundësi konkrete për studentët, alumnit dhe komunitetin, duke e forcuar më tej dimensionin ndërkombëtar të universitetit.
