Tiranë, 2 tetor Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shqyrton mundësinë e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2027, me synim aplikimin e tij në disa prej bashkive të mëdha të vendit.
Në një shkresë drejtuar partive politike, të cilën e disponon edhe gazetarja e Top Channel Elda Menga, KQZ bën me dije se, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe modernizimit të proceseve zgjedhore, po vlerësohet shtrirja e teknologjisë së votimit elektronik në një numër të caktuar njësish të qeverisjes vendore.
Sipas KQZ-së, duke marrë në konsideratë aspektet teknike, logjistike dhe administrative, si dhe nevojën që procesi të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe në kohë, shtrirja e votimit dhe numërimit elektronik në 3 ose 4 bashki të mëdha konsiderohet një qasje e arsyeshme dhe proporcionale.
Megjithatë, institucioni thekson se çdo vendimmarrje për zgjerimin e këtij procesi duhet të mbështetet në një qëndrim të qartë dhe të konsoliduar të partive politike.
Për këtë arsye, KQZ u kërkon partive politike të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e zhvillimit të votimit dhe numërimit elektronik në disa bashki të mëdha gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Para se partitë të paraqesin qëndrimin e tyre zyrtar, KQZ ka kërkuar që ato të caktojnë përfaqësuesit e tyre për një takim konsultues në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Takimi është parashikuar të zhvillohet të premten, më 9 tetor 2026, në orën 11:30.
KQZ u ka kërkuar partive të konfirmojnë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre përmes adresës zyrtare të postës elektronike të institucionit.
Konsultimi vjen në kuadër të përgatitjeve të hershme për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa vendimi përfundimtar mbi shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik pritet të lidhet me vlerësimin teknik dhe administrativ të procesit, si dhe me qëndrimet e partive politike.
