Prishtinë, 2 tetor Zhurnal.mk – Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e katërt elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për t’iu përgjigjur kërkesës së Kuvendit të Kosovës lidhur me nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Vendimi i miratuar i referohet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, me numër protokolli 1108, të datës 23 shtator 2026, për Projektligjin nr. 11/L-001, që parasheh ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në kuadër të këtij vendimi, Qeveria do të ofrojë vlerësimin e saj, i cili përfshin opinionin ligjor për përputhshmërinë e projektligjit me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit.
Vendimi është miratuar në mbledhjen elektronike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të mbajtur më 2 tetor 2026.
