Ndërtesat po mbijnë, apartamentet mbeten bosh – kush po fiton?

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 tetor Zhurnal.mk – Statistikat shtetërore tregojnë se gjatë vitit 2025 janë përfunduar 3.733 apartamente me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 280 mijë metrash katrorë. Në të njëjtën kohë, në treg ka gjithnjë e më shumë ndërtime të reja, por një pjesë e apartamenteve mbeten bosh dhe të pashitura. Subjektet afariste vitin e kaluar realizuan punime ndërtimore në vlerë prej 44,5 miliardë denarësh, ose rreth 724 milionë euro. Ndërtesa të reja po ndërtohen, miliona euro po qarkullojnë, por mbetet pyetja – kush dhe për kë po blihen të gjitha këto apartamente?

Ndërtimi i apartamenteve është biznes fitimprurës si për investitorët, ashtu edhe për blerësit. Për të parët, sepse produkti i tyre, në këtë rast apartamenti, mund të shitet menjëherë, ndërsa për të dytët, sepse kapitalin e tyre e kanë investuar në pasuri të paluajtshme.

Se kjo është një praktikë e përhapur, mjafton që në mbrëmje të hidhet një vështrim drejt lagjeve elitare në Qendër dhe në Vodno, ku në ndërtesa të mëdha, të përfunduara dhe të banuara, dritat janë të ndezura vetëm në disa apartamente. Kjo tregon se në shumë prej tyre nuk jetojnë as pronarët, ndërsa nuk ka as qiramarrës.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2021, në Maqedoninë e Veriut mbi 307 mijë apartamente nuk kanë banorë, ndërsa rreth 60 mijë prej tyre ndodhen në Shkup dhe qëndrojnë bosh e të pashfrytëzuara. Agjencitë e pasurive të paluajtshme theksojnë se është e dukshme që qytetarë me gjendje të mirë financiare blejnë edhe nga disa apartamente, edhe pse nuk kanë nevojë t’i japin me qira.

“Inflacioni po e bën të vetën. Ndoshta mendojnë se është më mirë t’i investojnë paratë në pasuri të paluajtshme, por jo të gjithë prej tyre i japin apartamentet me qira”, thonë nga një agjenci imobiliare.

Statistikat tregojnë se, edhe pse në tregun e pasurive të paluajtshme ka një numër të madh apartamentesh të pashitura, megjithatë numri i lejeve të ndërtimit vazhdon të rritet. Kjo nënkupton metra të rinj katrorë banimi që tashmë kanë filluar të ndërtohen ose pritet të ndërtohen.

Nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë lëshuar leje ndërtimi për 49.884 apartamente. Në vitin 2020 janë dhënë leje për 6.210 apartamente, në vitin 2021 për 11.946, në vitin 2022 për 7.002, në vitin 2023 për 7.865, në vitin 2024 për 8.367 dhe në vitin 2025 për 8.494 apartamente. Më shumë se gjysma, përkatësisht 22.878 apartamente, kanë marrë leje ndërtimi në Rajonin e Shkupit.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2025 janë përfunduar 2.518 apartamente, kundrejt 2.512 apartamenteve në vitin 2024. Vlera e punimeve të realizuara ndërtimore ka arritur në 16,2 miliardë denarë.

Sipërfaqja mesatare e dobishme e apartamenteve të ndërtuara nga pronarët individualë në vitin 2025 ishte 127,3 metra katrorë, ndërsa te kompanitë 75,2 metra katrorë. Kjo është një diferencë prej 52,1 metrash katrorë për apartament, në favor të banesave të ndërtuara nga pronarët individualë.

Në vitin 2025, kompanitë ndërtimore dhe pronarët individualë realizuan punime ndërtimore në vlerë prej afro 988 milionë eurosh për ndërtimin e apartamenteve. Pronarët individualë ndërtojnë apartamente më të mëdha, ndërsa kompanitë ndërtojnë apartamente dukshëm më të vogla.

Vitin e kaluar, pronarët individualë realizuan punime ndërtimore në vlerë prej rreth 264 milionë eurosh. Ata ndërtuan gjithsej 2.113 objekte, në të cilat përfunduan 2.518 apartamente me sipërfaqe të përgjithshme prej 320.404 metrash katrorë. Prej tyre, 92 ishin apartamente në shtëpi fundjave, me sipërfaqe të përgjithshme prej 11.114 metrash katrorë. Sipërfaqja mesatare e dobishme e apartamenteve të përfunduara ishte 127,3 metra katrorë.

Sipas rajoneve, gjatë vitit 2025 më së shumti pronarë individualë ndërtuan në Rajonin e Pollogut, ku u ndërtuan 946 apartamente dhe 20 shtëpi fundjave. Pas tij renditet Rajoni i Shkupit me 721 apartamente dhe 7 shtëpi fundjave, ndërsa Rajoni Jugperëndimor me 342 apartamente dhe 50 shtëpi fundjave.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë vitit 2025 subjektet afariste realizuan punime ndërtimore në vlerë prej 44,5 miliardë denarësh, përkatësisht rreth 724 milionë euro. Gjatë vitit janë ndërtuar 1.852 objekte, ndërsa janë përfunduar 3.733 apartamente me sipërfaqe të përgjithshme të dobishme prej 280.644 metrash katrorë.

Prej tyre, 3.677 apartamente janë në pronësi individuale, ndërsa sipërfaqja mesatare e dobishme e një apartamenti është 75,2 metra katrorë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër