Rritet numri i vizitorëve në lokacionet kulturore-historike të Ohrit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 4 tetor Zhurnal.mk – Po rritet numri i vizitorëve në lokacionet kulturore dhe historike të Ohrit. Ndryshe nga e kaluara, kur interesi më i madh ishte gjatë sezonit veror, vitet e fundit këto monumente dhe atraksione vizitohen gjatë gjithë vitit. Numri më i madh i biletave shitet për Muzeun e Ujit, Kalanë e Samuilit dhe Shtëpinë e Robevëve.

“Këtë vit, në mënyrë të papritur, kemi rritje të numrit të vizitorëve si në Gjirin e Kockave, ashtu edhe në Kalanë e Samuilit, por ende nuk e kemi tejkaluar rekordin e vitit 2019. Ne nuk dëshirojmë turizëm masiv. Për ne, numri aktual i vizitorëve është i mjaftueshëm. Kemi të ardhura të mjaftueshme, vetëm se ato duhet të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të shfrytëzohen sërish për mbrojtjen e trashëgimisë”, deklaroi Goran Patçev, drejtor i Institutit dhe Muzeut të Ohrit.

Vizitueshmëri më të ulët ka Galeria e Ikonave, ndonëse bëhet fjalë për një nga koleksionet më të vlefshme në botë. Grupet e organizuara turistike nuk e kanë përfshirë atë në itineraret e tyre.

“Vlera e kësaj galerie dhe e ikonave të ekspozuara këtu është me renome botërore. Nuk ka ekspozitë në botë me temë Bizantin, në të cilën të mos jetë kërkuar ndonjëra prej këtyre ikonave. Disa prej tyre ekspozohen fizikisht, ndërsa me teknikat moderne kërkohet edhe përfshirja e fotografive në katalogë apo në forma të tjera. Megjithatë, galeria vizitohet vetëm nga një kategori e caktuar e vizitorëve”, theksoi Katerina Velkovska, historiane e artit.

Këtë vit po zhvillohen punime për rregullimin e Kalasë së Samuilit. Aktualisht janë duke u realizuar hulumtime arkeologjike, ndërsa është paraparë edhe ndërtimi i dy tribunave të reja për shfaqje, rregullimi i shtigjeve, vendosja e tabelave informuese dhe instalimi i ndriçimit dekorativ.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër