“Jo në emrin tim” thërret protestë nesër nga ora 08:00 para dyerve të Kuvendit, sonte qëndrojnë në shesh

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 tetor Zhurnal.mk – Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka njoftuar në natën e 19-të të protestës se protestuesit do ta kalojnë gjithë natën në shesh, ndërsa ka ftuar qytetarët të bashkohen nesër nga ora 08:00, para seancës së Kuvendit ku pritet të shqyrtohet ligji që mbron UÇK-në.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Haziri tha se ende nuk është arritur marrëveshje për votimin e ligjit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të protestuesve.

“Sonte do ta kalojmë natën këtu, në shesh! Ne do të qëndrojmë jashtë, të bashkuar, për të pritur zbardhjen e ditës dhe për t’i pritur nesër sy më sy deputetët që do të hyjnë në seancën e Kuvendit”, deklaroi ai.

Haziri theksoi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga kërkesa për miratimin e ligjit.

Ai kritikoi kushtëzimin e kësaj çështjeje me marrëveshje për poste institucionale, duke e cilësuar një qasje të tillë të papranueshme dhe fyese.

Sipas Hazirit, UÇK-ja është themeli i shtetit të Kosovës dhe duhet t’i bashkojë të gjithë, pa dallime partiake.

Ai ftoi qytetarët t’u bashkohen protestuesve gjatë natës dhe të mblidhen nesër nga ora 08:00, ndërsa protestën masive e paralajmëroi për orën 08:30, para fillimit të seancës.

“Ejani sonte! Ejani nesër në 08:00! Të bëhemi një zë e një grusht, në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit tonë kombëtar”, përfundoi Haziri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër