Me 9 vota për, miratohet nisma për ndryshimin e ligjit për Specialen

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni për Legjislacion, me 9 vota për, ka miratuar nismën e PDK-së lidhur me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Anëtari i PDK-së në Komisionin për Legjislacion, Përparim Gruda, ka deklaruar se ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara synon që një pjesë e juridiksionit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës t’u kthehet gjykatave të Kosovës, pa prekur Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Gruda ka thënë se zgjidhja është kërkuar përmes ndryshimit të një ligji të zakonshëm, duke argumentuar se mandati fillestar i Speciales lidhej me pretendimet e raportit të Dick Marty-t.

“Por krejt çfarë kemi bërë është që, përmes ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, që është një ligj i zakonshëm, ne i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale. Cila është ajo pjesë? Është pjesa e krimeve të luftës, e cila nuk ka qenë kurrë qëllim për Gjykatën Speciale. Qëllimi pse është themeluar ka qenë hetimi i pretendimeve të raportit të Dick Marty-t. Më pas, ligji ia ka zgjeruar këtë juridiksion përtej letërkëmbimit dhe përtej amendamentit”, ka thënë Gruda.

Ai është shprehur se Dhoma Kushtetuese në Hagë, në një vendim të vitit 2022, kishte konstatuar se juridiksioni i Speciales ishte zgjeruar përmes ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Dhoma Kushtetuese që ekziston në Hagë e ka thënë këtë vetë në një vendim të vitit 2022, kur mbrojtja e presidentit Thaçi është ankuar se po akuzohen përtej raportit të Dick Marty-t. Përgjigjja e Dhomës Kushtetuese ka qenë e qartë: ‘Po, kemi dalë përtej amendamentit kushtetues dhe letërkëmbimit, sepse këtë autorizim na e ka dhënë Kuvendi i Kosovës me ligj’. Madje, thotë në një paragraf Dhoma Kushtetuese: ‘Po të kishte dashur Kuvendi ta reduktojë juridiksionin vetëm në çështjet e raportit të Dick Marty-t, atëherë do ta kishte bërë me ligj’. Prandaj, ne e kemi nxjerrë si konkluzion se mund ta bëjmë këtë me ligj, atë që ka thënë vetë Dhoma Kushtetuese atje”, ka deklaruar Gruda.

Gruda ka folur edhe për mundësinë e sfidimit të ligjit në Dhomën Kushtetuese në Hagë, duke thënë se, sipas tyre, kontrolli i kushtetutshmërisë së këtij ligji duhet të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Ne e kemi paraparë që ky ligj nuk i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë nga Dhoma Kushtetuese në Hagë, por vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, përballë së cilës duhet të paraqitet plotësisht në Prishtinë. Pse kjo kështu? Sepse amendamenti numër 24 thotë që Dhoma Kushtetuese në Hagë është përgjegjëse për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e dhomave të specializuara. Pra, është përgjegjëse për vendimet që dalin nga shkallët e Dhomave: shkalla e parë, shkalla e dytë dhe shkalla e tretë. Por nuk mund të jetë kurrë Dhoma Kushtetuese në Hagë organ që kontrollon kushtetutshmërinë e vendimeve që i propozon Kuvendi”, ka thënë ai.

Në fund, Gruda ka thënë se me ndryshimet synohet që detyrimet ndërkombëtare të Kosovës të mbeten në fuqi, ndërsa proceset për krimet e luftës të kthehen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Sipas tij, rastet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të vazhdojnë në Hagë, përfshirë procedurat e apelit, ndërsa në rast të një gjykimi në shkallë të tretë, ai do të zhvillohej në Kosovë.

Po ashtu, deputetja Blerta Deliu Kodra është shprehur se duhet të ketë unifikim rreth këtij ligji.

“Megjithatë, para votimit, e ndjej peshën e përgjegjësisë sot dhe theksoj se është një ndër të drejtat më të rëndësishme që duhet të na unifikojë të gjithëve, të gjitha partitë politike. Megjithatë, unë sot dua vetëm të kërkoj një unifikim rreth kësaj dite dhe rreth qëndrimit tonë për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës. Mendoj se duhet ta ndjejmë peshën e përgjegjësisë që bart kjo ditë dhe duhet të japim një mesazh të unifikimit që sot duhet ta përcjellë Kosova”, ka thënë ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër