Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në inaugurimin e kopshtit të ri për fëmijë në Komunën e Tearcës, duke e cilësuar këtë investim si një projekt me rëndësi të madhe jo vetëm për komunën, por për të gjithë rajonin, raporton Tetovasot.
Sipas Mickoskit, me vënien në funksion të këtij objekti janë eliminuar listat e pritjes për regjistrimin e fëmijëve në kopsht, ndërsa 147 fëmijë do të kenë mundësi të rriten dhe edukohen në një objekt modern dhe energjetikisht efikas.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po dëshmojmë hapjen e një objekti kaq të rëndësishëm. Nga biseda me kryetarin e komunës mësova se tashmë nuk ka më listë pritjeje dhe kapacitetet janë plotësuar. Këtu 147 fëmijë do të kalojnë vitet e tyre më të bukura të fëmijërisë”, deklaroi Mickoski, raporton Tetovasot.
Ai shprehu mirënjohje për ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, për mbështetjen e dhënë në realizimin e projektit, si dhe falënderoi kryetarin e Komunës së Tearcës, ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, deputetët e rajonit të Pollogut dhe administratën komunale për angazhimin në realizimin e investimit.
Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e komunave, duke rikujtuar se që nga marrja e mandatit në qershor të vitit 2024, janë transferuar më shumë se gjysmë miliard euro nga buxheti qendror për financimin e projekteve lokale.
“Sikurse deri më tani, edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të financojmë projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë në historinë e shtetit”, tha kryeministri.
Në fund, ai uroi banorët e Tearcës për objektin e ri dhe theksoi se investimet në arsimin parashkollor mbeten një nga prioritetet e Qeverisë.
