Mucunski dhe Petrova do të takohen të enjten në Sofje

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Sofje, 5 tetor Zhurnal.mk – Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova, do të takohen të enjten në Sofje.

Nga Ministria e Jashtme bullgare kanë konfirmuar për Agjencinë Bullgare të Lajmeve (BTA) se shefat e diplomacive të të dyja vendeve do të kenë mundësinë të takohen në margjinat e konferencës ndërkombëtare ministrore për Korridorin 8, e cila do të mbahet në Sofje dhe do të organizohet nga ministrja Velislava Petrova.

“Forumi, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, do të mundësojë zhvillimin e një takimi dypalësh, si pjesë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve”, bëjnë të ditur nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Nisma për takimin e ministrave të Jashtëm të të dyja vendeve erdhi gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup. Me këshillën e saj, kryeministri Hristijan Mickoski i kërkoi Mucunskit të kërkojë takim me Petrovan, në përpjekje për të nxitur procesin e zgjidhjes së çështjes së bllokadës bullgare ndaj integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut më herët kanë konfirmuar për agjencinë MIA se është kërkuar takim ndërmjet ministrit Timço Mucunski dhe ministres së Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova.

Takimi pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave, në margjinat e takimit ministror në Sofje, kushtuar Korridorit 8.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër