Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Bordi drejtues i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) miratoi sot ndryshimet me të cilat pushimi mjekësor i lëshuar nga mjeku amë, në vend të 7 ditëve si deri më tani, do të zgjasë 5 ditë. Sipas FSSH, nëse gjendja shëndetësore e pacientit pas ditës së pestë nuk përmirësohet, ai do të dërgohet për ekzaminime shtesë, ndërsa deri në 15 ditë mjeku amë do të mbetet kompetent për të përcaktuar paaftësinë e përkohshme për punë.
Me ndryshimet në Rregulloren për pushimet mjekësore, FSSH ka ndërhyrë edhe në disa aspekte të tjera:
Për disa diagnoza nuk do të kërkohen më analiza laboratorike, por vlerësimin mund ta bëjë mjeku amë.
Për disa diagnoza është zgjeruar periudha e parashikuar nga kriteret.
Pas 15 ditësh, propozimi për paaftësinë e përkohshme për punë do të dorëzohet elektronikisht, në vend të dorëzimit manual.
Gjithashtu, janë zgjeruar rastet kur pushimi mjekësor mund të përcaktohet pa praninë fizike të të siguruarit, sidomos për të sëmurët rëndë, personat të palëvizshëm ose me lëvizshmëri të kufizuar, si dhe për ata që trajtohen në spital. Për sëmundjet kronike do të mund të përdoren analizat ekzistuese, nëse janë brenda afatit të vlefshmërisë, pa përsëritje të panevojshme.
Ndryshimet parashikojnë edhe kushte të qarta për përcaktimin retroaktiv të pushimit mjekësor në raste të justifikuara, si pas trajtimit spitalor. Për gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse është parashikuar lehtësim në lidhje me ekzaminimet radiodiagnostike me rrezatim jonizues, kur gjendja shëndetësore është e konfirmuar me raport specialistik.
Për disa sëmundje të rënda janë parashikuar përjashtime nga detyrimi për mendim konsiliar në rastet e pushimeve mjekësore më të gjata se 60 ditë, njoftojnë nga FSSH.
