Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Qytetit të Shkupit dhe president i ZELS-it, Orce Gjorgjievski, sot zhvilloi një takim me delegacionin e Kongresit të pushtetit lokal dhe rajonal të Këshillit të Evropës, të përbërë nga Anders Knaape nga Suedia dhe Matthias Gisin nga Zvicra, bashkëraportues dhe anëtarë të Kongresit, si dhe Iveta Reinholde, eksperte për Kartën Evropiane për vetëqeverisje lokale, dhe përfaqësues të Sekretariatit të Kongresit.
Në takim u diskutua për përparimin e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë, për forcimin e komunave dhe për hapat e përbashkët drejt shërbimeve më cilësore për qytetarët.
“E theksova mbështetjen e rëndësishme financiare që komunat e marrin nga Qeveria për realizimin e projekteve infrastrukturore. Kjo mbështetje shndërrohet në rrugë të reja, infrastrukturë më të mirë dhe zgjidhje të nevojave të qytetarëve. Bashkëpunimi i përmirësuar me ministritë dhe Memorandumi i ri mes Qeverisë dhe ZELS-it janë bazë e fortë për rezultate edhe më të mëdha. Theksova gjithashtu përkushtimin tonë për decentralizim të mëtejshëm, komuna financiarisht më të forta dhe administratë lokale më efikase. Përmes partneritetit me Qeverinë, vazhdojmë të punojmë për zgjidhje që do t’u mundësojnë komunave të përgjigjen më shpejt dhe më me sukses ndaj nevojave të përditshme të qytetarëve. Për mua, suksesi i çdo bashkëpunimi matet me atë që qytetarët e ndiejnë në jetën e tyre – një komunë e rregulluar, shërbim më i mirë dhe komunë e gatshme për të ndihmuar”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se delegacioni e ka njohur ZELS-in si një organizatë të fortë dhe të bashkuar, e cila me sukses i përfaqëson interesat e pushtetit lokal, gjë që përbën një njohje për punën e përbashkët, por edhe një nxitje për të vazhduar me përkushtim edhe më të madh.
