Akademia e FA nis vitin akademik në kampus të ri, Nufi: Modernizimi sipas standardeve euroatlantike, prioritet

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Në kampusin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura ka nisur viti i ri akademik, me 289 studentë që i bashkohen rrugëtimit të formimit profesional dhe ushtarak për t’i shërbyer vendit.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi e cilësoi kampusin e ri si një dëshmi të vizionit për ndërtimin e Forcave të Armatosura moderne, profesionale dhe të afta për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes. Ministri theksoi se arsimi ushtarak dhe modernizimi i tij mbeten një prioritet, duke nënvizuar nevojën për një sistem arsimor cilësor, konkurrues dhe të ndërveprueshëm me standardet euroatlantike.

“Këtu qëndron edhe përgjegjësia jonë: që të ndërtojmë një sistem arsimor ushtarak që i përgjigjet nevojave të Forcave të Armatosura të sotme, por që përgatit njerëzit për sfidat e së nesërmes. Të ndërtojmë një sistem cilësor, konkurrues dhe plotësisht i ndërveprueshëm me standardet euroatlantike – sepse Shqipëria është një aleate e përkushtuar e NATO-s, tashmë jo më një konsumatore, por një kontributore aktive e saj. Ne nuk duam vetëm të jemi pjesë e Aleancës, por duam të jemi një aleate gjithnjë e më e aftë për të kontribuar në të”, u shpreh ministri Nufi.

Viti i ri akademik 2026-2027 e ka gjetur Akademinë e Forcave të Armatosura në një kampus të ri sipas standardeve ndërkombëtare. Sipas Ministrit Nufi, investimi në arsim është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare, veçanërisht në një kohë kur inteligjenca artificiale, kërcënimet kibernetike dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën e zhvillimit të konflikteve dhe operacioneve ushtarake.

“Ushtarakët e së ardhmes nuk duhet vetëm të dinë se si të përdorin teknologjinë, por edhe të kuptojnë se si ajo ndryshon mënyrën e të menduarit, të planifikimit dhe të vendimmarrjes”, tha më tej Ministri Nufi.

Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu punën e pedagogëve, instruktorëve dhe stafit të Akademisë, si dhe mbështetjen e familjeve të studentëve në rrugëtimin e tyre.

Në ceremoni ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Ferdinand Dimo; akademikë, komandantë, drejtues, ushtarakë dhe studentë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër