Prishtinë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Profesori universitar, Bekim Sejdiu, e ka konfirmuar se nuk është më pjesë e garës për president të Kosovës, duke thënë se e ka njoftuar për këtë kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sejdiu, i cili në shtator ishte tërhequr nga kandidatura për kreun e shtetit, tha se nuk e konsideron të denjë që të zgjidhet president vetëm për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve.
“Nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet. President duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë”, ka deklaruar Sejdiu për Gazetën Infokusi.
Ai tha se për vendimin e tij i ka njoftuar sërish Kurtin dhe Abdixhikun, duke theksuar se, nëse LDK-ja kërkon dëshmi për këtë, mund t’ua përcjellë edhe mesazhin që ua ka dërguar.
Sejdiu tha se kandidatura e tij ishte pjesë e një dakordimi politik mes LDK-së dhe LVV-së dhe se e kishte mirëpritur mbështetjen e të gjitha partive politike.
“Unë kam hyrë në një kombinim politik LDK-VV dhe e kisha mirëprit përkrahjen e të gjithëve. Partitë politike në përgjithësi kanë pasë fjalë të mira për mua si kandidat dhe e çmoj edhe faktin se edhe një pjesë e gazetarëve dhe opinionit publik kanë pasur vlerësim pozitiv për mua”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, mungesa e votave të mjaftueshme ishte arsyeja kryesore për tërheqjen nga gara.
“Meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë”, u shpreh Sejdiu.
Ai gjithashtu tha se nuk dëshiron që çështja e zgjedhjes së presidentit të lidhet me tema të tjera politike që, sipas tij, janë të rëndësishme për vendin.
“Çështja e Presidentit s’duhet të lidhet me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend”, tha Sejdiu.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kritik për procesin e zgjedhjes së presidentit, pasi sot përfundon afati për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë sot ofertë ndaj PDK-së, duke deklaruar se LVV-ja, bashkë me komunitetet, do t’i siguronte 62 vota nëse PDK-ja do të garantonte gjysmën e votave të saj për Bekim Sejdiun.
Tërheqja e konfirmuar nga Sejdiu e komplikon më tej këtë ofertë politike, pasi emri për të cilin Kurti kërkon mbështetjen e PDK-së nuk pranohet më nga vetë Sejdiu si kandidaturë.
