Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka vendosur sot çmimet e reja të tregtimit të karburanteve, duke përcaktuar çmimin maksimal me pakicë të gazoilit në 210 lekë/litër dhe të benzinës në 190 lekë/litër, duke i ulur respektivisht me nga tre lekë.
Në mbledhjen e dytë, të zhvilluar në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, Bordi vendosi që çmimi i shitjes me shumicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me shumicë për benzinën e standardit SSH EN u përcaktua në 178 lekë/litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, 7 tetor, në orën 11:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet në treg dhe do të përcaktohen çmimet e reja të shitjes.
Bordi tërhoqi vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit. Në rast të konstatimit të shkeljeve, parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit të operatorëve.
Vendimi është marrë në zbatim të kuadrit ligjor për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe të Aktit Normativ për një shtesë në ligjin për akcizat.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
