Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar po vijojnë me takimet e “Pranisë Besnike”, ndërkohë që po diskutohet projektbuxheti 2027, i cili do të prekë tavanin rekord të 10 miliardë eurove.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga raportimi i Ministrit të Financave, Petrit Malaj për projektbuxhetin 2027, ndërsa theksoi se ku buxhet rishpërndan më shumë nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë.
Për sa i përket buxhetit të vitit 2027, ministri Malaj theksoi se ky është buxheti më i madh që ka kaluar edhe nivelin e 10 miliardë eurove.
Lidhur me prioritetet për vitin 2027, Malaj tha se do të kemi dyfishim të pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuar.
Po ashtu ai shtoi se ka njohje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e këtyre fëmijëve.
“Do të aplikojmë për herë të parë duke filluar nga viti 2027 bonusin e bebeve i cili do të paguhet çdo muaj. Këtë vit do të bëjmë dhe përjashtim nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale për shtresat në nevojë”, informoi Malaj.
Tek bujqësia, ministri informoi se do të vijojë edhe përgjatë vitit 2027 programi i kompensimit të TVSH-së. “Skema e mbështetjes direkte të fermerëve parashikohet me rritje në masën 5.3 miliardë lekë”, shtoi ai.
Shëndetësia, sipas ministrit Malaj, do të jetë edhe në fokus të këtij buxheti.
“Kemi bërë një rritje me rreth 1 miliard lekë apo rreth 10 milionë euro për financimin e barnave dhe të pajisjeve në shërbimin e kujdesit parësor dhe dyqësor”, informoi ai.
Po ashtu Malaj theksoi se është përmbushur angazhimi i 2.35% të prodhimit të Brendshëm Bruto si nivel buxhetimi për mbrojtjen, ndërsa për Ministrinë e Jashtme ndër prioritetet kryesore është kompletimi i misionit në Bruksel.
