Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të 6 tetorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se “Kosova ia doli”, duke përcjellë urimet për presidenten e re dhe për popullin e Kosovës.
“Kosova ia doli!
Urime Presidentes së re të Kosovës, profesoreshës Justina Shiroka-Pula, me dëshirat më të mira për sukses në detyrën e saj.
Urime gjithashtu për miratimin e ligjit për mbrojtjen e pastërtisë së luftës së UÇK-së.
Urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës!”, shkruan Bardhi.
Kuvendi i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka-Pulën presidente të Republikës me 81 vota, duke shmangur shpërndarjen e Kuvendit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Shiroka-Pula, ekonomiste dhe profesoreshë universitare, është zgjedhur pas një periudhe të gjatë ngërçi politik lidhur me zgjedhjen e kreut të shtetit.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, institucionet me seli në Hagë që trajtojnë çështjet e krimeve të luftës të lidhura me konfliktin e viteve 1998–1999 në Kosovë.
Zgjedhja e presidentes dhe miratimi i ndryshimeve ligjore erdhën pas një periudhe të tensionuar politike në Kosovë, me protesta dhe debate të forta rreth rolit dhe kompetencave të Dhomave të Specializuara.
