Poezi nga: Mahmoud Darwish
Përktheu nga anglishtja (sipas Munir Akashit): Agron Shala
Në këtë tokë, ka çfarë e bën jetën të vlefshme për ta jetuar:
rikthimi i prillit, aroma e bukës
në agim, mendimet e një gruaje për burrat, shkrimet e Eskilit, fillimi
i dashurisë, myshku mbi gurë, nënat që qëndrojnë mbi fijen e një fyelli,
dhe frika e pushtuesve nga kujtimet.
Në këtë tokë, ka çfarë e bën jetën të vlefshme për ta jetuar:
fundi i shtatorit, një grua që del
nga të dyzetat e saj mbushur me kajsi, ora e diellit në burg, retë që shndërrohen
në një mori krijesash, këngët e një kombi që përballet me fundin e vet
duke buzëqeshur, dhe frika e tiranive nga këngët.
Në këtë tokë, ka çfarë e bën jetën të vlefshme për ta jetuar:
në këtë tokë është zonja e tokës, nëna
e fillimeve dhe e mbarimeve. Ajo u quajt Palestinë. Ende
quhet Palestinë. Zonja ime, unë jam i denjë, sepse ti je zonja ime,
jam i denjë për jetën.
